Grupi kriminal i dyshuar për disa vjedhje, Gjykata merr vendim për të arrestuarin e fundit
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese, e jo vetëm. Hajna herë të vetëm e herë në grup arrijnë të kryejnë vjedhje të rënda. Disa të rinj që dyshohet se kanë funksionuar si grup për të kryer vjedhje, tashmë janë zbuluar nga Policia.
Të mërkurën Sinjali raportoi ekskluzivisht se të dyshuarit janë Ilir Kadriu, Valmir Kadriu – vëllezër dhe Bajram Selamani dhe Pajtim Selmani, po ashtu vëllezër, teksa është kapur edhe një i dyshuar tjetër.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në prangat e Policisë të mërkurën ka rënë edhe Albenit Veseli, 21-vjeçar, nga fshati Dumnicë e Poshtme në Podujevë.
Sipas burimeve, Veseli gjatë ditës së djeshme është dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake, pasi Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe i ka caktuar të riut masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Kujtojmë që sipas informacioneve të para të dyshuarit në bashkëpunim kanë vjedhur makineri bujqësore-traktor dhe bagëti në rajone të ndryshme të Kosovës dhe përmes rrugëve malore dyshohet se i kishin dërguar në Serbi.
Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Aksioni për kapjen e të dyshuarve të parë është zhvilluar në disa lokacione në Mitrovicë e Podujevë, ku janë kryer bastisje në pronat e të dyshuarve, me ç’rast janë sekuestruar dy automjete që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së veprës penale si dhe disa prova tjera relevante.
Arrestimi i të dyshuarve erdhi pasi Policia nisi hetimet për një rast të vjedhjes së rëndë që u denoncua më 18 shkurt në fshatin Tërrnac të Skenderajt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.