Plas sherri për pronë mes anëtarëve të familjes Zariqi në Drenas, 3 persona në prangat e Policisë

Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, e madje të përfundojnë edhe tragjikisht. Të tilla raste zakonisht nisin me zënka e konflikte verbale, e më pas eskalojnë edhe në përleshje e kanosje serioze.

Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në fshatin Baicë të Drenasit, ku disa anëtarë të familjes Zariqi janë futur në sherr me njëri-tjetrin.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se në rast janë përfshirë katër persona, tre prej të cilëve kanë përfunduar në ndalim policor, si të dyshuar për rastin.

Sinjali mëson se fillimisht njëri prej tyre A.Zariqi i ka shkaktuar dëme në oborr viktimës, çka e detyroi të reagojë vëllain e këtij të fundit B.Zariqi, i cili dyshohet se e ka kërcënuar vëllain e të dyshuarit, L.Zariqi.

Motivi i konfliktit mes tyre lidhet me mosmarrëveshjet lidhur me pronën.

Përballë kësaj situate, dikush nga familja ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia, duke e denoncuar atë që ka ndodhur, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes.

Tre të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin për të cilin dyshohen.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  “Trepça” largon edhe tre punëtorë nga puna