Dënohet me 2 vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë i akuzuari për shtytje në terrorizëm
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Liridon Beqirit, i akuzuar për veprat penale ‘Shtytja për kryerjen e veprave terroriste’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, Gjykata njofton se Beqiri është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, si dhe me 3 mijë euro gjobë.
“I akuzuari L.B është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy ( 2 ) vite, në të cilin dënim do ti llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe në masën e arrestit shtëpiak nga data 15 maj 2023 deri me 07.03.2024 dhe dënim me gjobë në shumë prej tre mijë euro (3.000 €), të cilin dënim i akuzuari duhet ta paguaj në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Ndryshe, nga i akuzuari Gjykata konfiskon përgjithmonë sendet e luajtshme, si mjete që kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe sendet që i nënshtrohen automatikisht konfiskimit, të cilat janë sekuestruar përkohësisht me vendimin e Gjykatës, si sende të përdorura apo të destinuara për kryerjen e veprës penale.
Kujtojmë se Beqiri në seancën e 4 marsit 2024 e kishte pranuar fajësinë lidhur me veprat penale “Shtytje në terrorizëm” dhe armëmbajtje pa leje, andaj ndaj tij është veçuar procedura.
“E kisha lut Gjykatën me marrë parasysh unë ardhmen tem unë e shoh si një doktor, si një fizioterapeut dhe kiropraktikë, ashtu kom qejf m’u njoftë edhe emni jem dhe jo si një terrorist ose i akuzum për terrorizëm”, tha i akuzuari Beqiri.
Këtë deklarim, ai e bëri të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në seancën ku palët paraqesin rrethanat qoftë rënduese apo lehtësuse të cilat ndikojnë në llojin apo lartësinë e caktimit të dënimit.
Sipas Beqirit, në kohën kur kishte ndodhur vepra penale nuk e kishte ditur peshën që nga një fotografi me armë do të akuzohej për terrorizëm. Ai tha se është penduar dhe kërkoi nga gjykata që ndaj tij të shqiptojë dënim më të ulët.
I akuzuari Beqiri po ashtu tha se ai nuk duhej të merrej shembull për veprimet e bëra.
“E them publikisht edhe për popullin edhe për rininë time…. mos me bo çka kam bo unë se i pret një e ardhme, mos me marrë si shembull, shembullin tem se i pret një e ardhme që te evladë e tyne ka me ndiku si qysh ka me u ndiku edhe te unë që kanë me u quajt…kanë m’u bullizu që baba yt u kanë terrorist apo i akuzum për terrorizëm”, tha i akuzuari Beqiri.