Ky është personi që dyshohet se e rrëmbeu borxhliun në Prishtinë, përfundon në ndalim policor

Borxhet prej qindra e mijëra eurove shumë shpesh kanë shkaktuar incidente, e madje kanë eskaluar edhe në sulme, kërcënime serioze e kidnapime. Kështu dyshohet të ketë ndodhur me 64-vjeçarin që u rrëmbye para disa javësh në Prishtinë. Huazimi i një shume të parave dhe moskthimi i tyre i kushtoi atij me rrëmbim.

Siç merr vesh Sinjali, i dyshuari për rastin është Hasan Hasani, 57-vjeçar, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Hasani dyshohet se e ka rrëmbyer viktimën më 26 shkurt dhe e ka mbajtur me zor në një pjesë malore në Prishtinë, për disa orë, ku dyshohet ta ketë kërcënuar.

Sipas informacioneve të para, motivi i rrëmbimit dyshohet se lidhet me një borxh që viktima ka pasur ndaj të dyshuarit.

Policia ka arritur të sigurojë prezencën e të dyshuarit dhe i njëjti është intervistuar gjatë ditës së djeshme, me ç’rast ka dhënë deklaratën e tij për rastin.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje dhe brenda afatit ligjor të merren veprimet e nevojshme.

Lexo edhe:  U vendos një arkivol para një shtëpie në Viti, rasti paraqitet në polici