Arrestohet i dyshuari që e sulmoi seksualisht 24-vjeçaren në ashensorin e një banese në Prishtinë

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale ndaj vajzave e grave në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese.

Të dyshuarit në shumicën e rasteve janë persona të moshës madhore, të cilët shfrytëzojnë çfarëdo situate me qëllim keqpërdorimin dhe abuzimin e tyre. Për një rast të tillë që ndodhi javën e kaluar në një objekt banesor në rrugën “Tringë Smajli” në Prishtinë, Policia tashmë ka arrestuar të dyshuarin, raporton Gazeta Sinjali.

Personi që dyshohet se sulmoi seksualisht 24-vjeçaren në ashensorin e banesës ka rënë në prangat e Policisë dhe tashmë ndodhet në ndalim policor.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 29-vjeçar, i cili u kap dje dhe u shoqërua në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.

Sipas informacioneve të para, më 27 shkurt, i dyshuari fillimisht e kishte përcjellë viktimën derisa po kthehej te banesa e saj dhe më pas ishte futur në ashensor bashkë me të, përkundër që ajo tentoi ta ndalojë, por s’ia arriti.

Derisa ndodheshin në ashensor, i dyshuari e kishte prekur me zor në pjesët intime, e madje edhe i ka shkaktuar lëndime trupore.

Pasi Policia ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe ka siguruar pamjet e kamerave të sigurisë, është identifikuar i dyshuari.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Sulm seksual’.

Lexo edhe:  Foshnja lind në rrënojat e tërmetit në Siri, nëna vdes pasi e solli në jetë