Shoqërohet në Polici një 15-vjeçar në Shtime, dyshohet se e kishte thyer derën e hyrjes së shkollës  

Policia e Kosovës (PK) njofton se një 15-vjeçar është shoqëruar në stacion policor, nën dyshimin se e kishte thyer derën e hyrjes në shkollën “Lasgush Poradeci” në Vojnovc të Shtimes.

Në njoftimin e Policisë, thuhet se më 19 shkurt 2024, rreth orës 18:05, policia e stacionit në Shtime kishte pranuar një informatë se është një rast i dëmtimit të pronës, ku ishte thyer dera e hyrjes në shkollën ” Lasgush Poradeci”.

“Hetuesit policor nën autorizim të prokurorit kujdestar i kishin nisur hetimet dhe pas një pune intensive hetimore kanë arritur që tē identifikojnë një person i moshës 15 vjeçar, të cilin me datën 04.03.2024 e kanë shoqëruar në stacionin e policisë”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se në prani të prindit të tij dhe avokatit mbrojtës sipas detyrës zyrtare, i mituri është intervistuar nga hetuesit policor, ndërsa me vendim të prokurorit të rastit është liruar për procedurë të rregullt hetimore.

Rasti është cilësuar “Dëmtim prone”.

Lexo edhe:  Konflikt familjar në Junik: Djali sulmon fizikisht babanë e tij, Policia zbarkon në shtëpinë e tyre