Sherr në trafik në Fushë Kosovë, i riu kërcënon me armë një person – intervenon Policia
Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë.
Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në probleme serioze.
Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Fushë Kosovë, ku pas një zënke në komunikacion, një 25-vjeçar dyshohet se ka kërcënuar me armë një person.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 18-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka njoftuar se i dyshuari me qëllim që ta frikësojë ka ekspozuar armën që po bartte me vete.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë kontrolluar veturën e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë me fishekë.
Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprat penale ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.