Prindërit në Podujevë e çojnë djalin në Polici, raportojnë se ushtron dhunë dhe kërkon para për drogë

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.

Në shumë raste, shkaktar i telasheve është abuzimi me substanca narkotike. Një ngjarje e tillë po dyshohet se ka ndodhur në një familje në Podujevë, të dielën në mbrëmje.

Sinjali mëson se dy prindër e kanë denoncuar djalin e tyre për problemet e vazhdueshme që u ka shkaktuar dhe dhunën e ushtruar ndaj tyre.

Bazuar në dëshminë e tyre, i dyshuari është përdorues i narkotikëve dhe i gjithë konflikti mes tyre ka nisur për shkak të parave që i ka kërkuar për të blerë drogë.

Si rezultat i raportimit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Aksidentet fatale: 23 persona të vdekur për tre muaj në Kosovë