Dhunë në një familje në Gjakovë: 39-vjeçari e bën për spital bashkëshorten e tij, shkak xhelozia
Foto ilustruese
Dyshimet për tradhti dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre apo edhe anëtarët e tjerë të familje.
Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në një familje në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka kërkuar ndihmë nga organet e rendit, pasi u përball me dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj.
Gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie, ku i dyshuari pas një konflikti verbal ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij dhe të njëjtës ia ka marrë telefonin.
Viktima, e cila ishte e pajisur me urdhër të mbrojtjes, ka marrë edhe ndihmë mjekësore, teksa për shkaqe sigurie bashkë me fëmijët janë dërguar në strehimore.
Si rezultat i denoncimit, 39-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.