Sherr në QMF-në e Janjevës: I moshuari sulmon mjeken, intervenon Policia
Punonjësit shëndetësorë në shumë raste gjatë kryerjes së detyrave të tyre përballen me pacientë e familjarë të pacientëve të cilët i fyejnë e ofendojnë me fjalë të ndryshme. E shpesh herë këto fjalë eskalojnë në kërcënime dhe veprime të dhunshme ndaj tyre.
Një situatë e tillë ka ndodhur dje pasdite në Qendrën e Mjekësisë Familjare në fshatin Janjevë të Lipjanit, ku një person dyshohet se ka sulmuar një mjeke.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 68-vjeçari i revoltuar për një dokument mjekësor, ka eskaluar në sjellje agresive ndaj mjekes.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilët kanë shoqëruar në stacion policor të moshuarin dhe i njëjti është intervistuar nga organet e hetuesisë.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet në liri për veprën penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’.