Ky është personi që e kërcënoi gjyqtaren në Prizren, ndalohet për 48 orë
Gjyqtarja e Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore të Prizrenit, Vjollca Buzhala është kanosur së fundmi nga një person dhe motivi lidhet me punën e saj dhe gjykimin në një rast të mëhershëm.
I dyshuari që e kërcënoi gjyqtaren tashmë është arrestuar dhe ndodhet në ndalim policor.
Gjyqtarja Vjollca Buzhala, njëherit gruaja e prokurorit Ramiz Buzhala, e ka denoncuar rastin në Polici lidhur me kanosjen e të dyshuarit, përmes rrjeteve sociale.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që e kanosi gjyqtaren është Agron Dushi, 47-vjeçar.
Në bazë të informacioneve që ka Sinjali, Dushi po dyshohet se e ka kërcënuar Buzhalën, pasi kohë më parë është gjykuar dhe dënuar nga gjyqtarja për një rast për të cilin akuzohej.
Denoncimi i saj ka vënë në lëvizje Policinë, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij dhe e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.
Lajmin për arrestimin e të dyshuarit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.