Ky është polici i suspenduar në Leposaviq, dyshohet se është përfshirë në skandalin e drogës në Komunë

Një zyrtar policor në Leposaviq është suspenduar me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, pasi i njëjti dyshohet se është i përfshirë në skandalin me drogë brenda objektit të Komunës.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se bëhet fjalë për policin Pavle Radoviq.

Suspendimi i Radoviq erdhi pas publikimit të pamjeve ku shihen zyrtarë të komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës.

“Hetimi i IPK-së ka filluar bazuar në dyshimet se në këto pamje tashmë të publikuara mund të jetë i përfshirë si i dyshuar edhe një zyrtar policor.

IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor  të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.

Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor  të dyshuar në këtë rast.”, thuhet në njoftim.

IPK ka bërë të ditur se në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

Lexo edhe:  E rëndë: 3 të plagosur në Prishtinë nga festimet, një nga ta është 15 vjeçar