Tahiri: Kryeministër, të hënën fëmijët duhet të shkojnë në shkollë
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti e ka obligim për t’i takuar sindikatat.
Ai ka postuar një video të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili i kishte takuar protestuesit të cilët protestonin para qeverisë.
Prandaj sipas tij, ndërprerjen e grevës kryeministri e ka në dorë.
Postimi i plotë:
Është obligim i secilës qeveri dhe secilit kryeministër që të takojë përfaqësuesit e sindikatave. Sindikalistët janë organizata me bazë të anëtarësisë të cilët janë të punësuar në administratën e shtetit.
Mos vullneti për të ofruar zgjidhje në këto rrethana, tani kur jemi gati në gjysmën e shtatorit, nuk është asgjë tjetër, veç pazotësi qeverisëse dhe arrogancë klasike.
Në videon e mëposhtme është vetëm një ndër sfidat që i kemi pasur me sindikalistët gjatë hartimit të Ligjit të Pagave.
Shiheni se si ka qenë qasja jonë.
Kryeministër, të hënën fëmijët duhet të shkojnë në shkollë. Këtë, ju e keni në dorë. E keni në dorë me vendimmarrjen që e keni në posedim.