Plas “fërrka” në Shupkovc të Mitrovicës: Burri kërcënon me jetë familjarët e ish-gruas, i akuzon se i ndanë

Zënkat e familjes së gruas me dhëndrin, janë të shpeshta në vendin tonë. Madje me raste ato nuk marrin fund, as atëherë kur çifti vendos të ndahet. Ngjarje të tilla jo rrallëherë kanë eskaluar edhe në përleshje brutale e kanosje serioze.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Shupkovc të Mitrovicës, ku një person dyshohet se ka kërcënuar familjen e ish-bashkëshortes së tij.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se njëri nga familjarët ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ka marrë informacione se në kohën që ishte jashtë shtëpisë, i dyshuari ka biseduar me një fqinj të tyre dhe të njëjtin në bisedë e sipër e ka ‘paralajmëruar’ se do t’i vrasë të gjithë ish-miqtë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Sinjali mëson se motiv i kësaj ngjarjeje, dyshohet të jetë ndarja e të dyshuarit me ish-bashkëshorten, për çka i akuzon familjen e gruas se i kanë kontribuuar ndarjes gjatë kohës që i dyshuari  ndodhej jashtë shtetit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet për veprën penale ‘Kanosje’.

Lexo edhe:  Arrestohet i dyshuari për tentim vrasje në Kaçanik