E vrau vëllain dhe ia dogji kufomën, mbet në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm ndaj Gani Kriezit

Ka mbetur në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm ndaj Gani Kriezi për vrasjen e vëllait të tij B.K. në shkurt të vitit 2020, në fshatin Bërnjak të Rahovecit.

Gjykata Supreme njofton se është refuzuar si e pabazuar ankesa e mbrojtjes së Gani Kriezit, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës.

“Gjykata Themelore në Gjakovë të akuzuarin G.K., e ka shpallur fajtor për shkak të veprës penale vrasja e rëndë dhe veprës penale mbajtja në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe ia ka shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm, të cilin e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Në seancën e kolegjit të Gjykatës Supreme të mbajtur më datë 19.10.2023, me shumicë të votave, është refuzuar ankesa e mbrojtësit të G.K., si e pabazuar”.

“Në aktgjykimin e Gjykatës Supreme PA-II.nr.1/2023, precizohet se vet i akuzuarit, në mbrojtjen e tij, në deklaratën e dhënë në polici, nuk e ka mohuar kryerjen e veprës penale në drejtim të vëllait të tij, përkundrazi e ka përshkruar në detaje se si e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.K., pastaj se si e ka djegur kufomën dhe si e ka hedhur të njëjtën me qëllim që të fshihen gjurmët e vrasjes. Përveç kësaj, dëshmitarët e familjes së të dënuarit dhe dëshmitarët e familjes së tani të ndjerit, kanë vërtetuar se pikërisht i akuzuari G.K. është personi që e ka privuar nga jeta tani të ndjerin B., prandaj konkludimet e gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari me dashje direkte e ka privuar nga jeta të ndjerin janë të drejta dhe të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe shkresat tjera të lëndës.

Lexo edhe:  Djemtë e dëshmorit përzgjidhen nga Austria për të prezantuar historinë e tyre të suksesit si ekspert integrimi

Gjykata Supreme duke marr parasysh mënyrën e kryerjes së veprës penale, vendin e kryerjes së veprës penale, sjelljen e të akuzuarit para kryerjes së veprës penale si dhe pas kryerjes së veprës penale, faktin se vepra penale është kryer në “rrethana veçanërisht rënduese”, konsideron se dënimi të cilin i ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë, i vërtetuar edhe me aktgjykimin e shkallës së dytë, është i drejtë, i ligjshëm, dhe se i njëjti është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të dënuarit, dhe është në funksion të preventivës gjenerale dhe individuale dhe se me këtë dënim do të arrihet qëllimi i ndëshkimit”, thuhet në njoftim.