Plas sherri për borxh: Vushtrriasin e rrahin dhe tentojnë ta rrëmbejnë pasi kërkoi nga borxhliu 13 mijë eurot e veta

Borxhet prej qindra e mijëra eurove shumë shpesh kanë shkaktuar incidente, e madje kanë eskaluar edhe në sulme e kërcënime serioze. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në Vushtrri, ku një 52-vjeçar është sulmuar fizikisht pasi kërkoi paratë e tij nga borxhliu.

Për këtë rast tashmë kanë nisur hetimet dhe si rezultat tashmë Policia ka identifikuar një person të dyshuar.

Por si ndodhi rasti – që rrezikoi të përfundonte me rrëmbim?

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjithçka filloi pasi viktima vendosi që t’ia kërkoi të dyshuarit paratë që ia kishte dhënë hua, por u përballë me refuzim nga i njëjti për të biseduar për çështjen e borxhit.

Siç mëson Sinjali, bëhet fjalë për rreth 13 mijë euro që i dyshuari i kishte marrë nga 52-vjeçari, por nuk ia kishte kthyer siç ishin marrë vesh.

Por, asgjë nuk mbaroi këtu. Viktima nuk arriti të takohej me borxhliun, megjithatë ky i fundit dyshohet se e organizoi një “takim” të papritur, duke i dalë në pritë.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, teksa 52-vjeçari ishte duke lëvizur me veturën e tij, disa vetura ia kanë bllokuar rrugën dhe me dhunë e kanë nxjerrë nga automjeti.

Situata aty eskaloi, pasi të dyshuarit e kanë sulmuar të njëjtin fizikisht, duke përdorur edhe shufër dhe për pasojë i kanë shkaktuar lëndime trupore.

Qëllimi i tyre, bazuar në dëshminë e viktimës ka qenë që ta marrin me forcë – por në pamundësi për ta rrëmbyer, janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital dhe më pas rasti e ka denoncuar në Polici, ku ka rrëfyer të gjitha detajet e asaj që kishte ndodhur.

Lexo edhe:  Aktorja e filmave për të rritur: Atë punë e bëja për para, mos t’i kërkoj familjes e mos t’i bi në dorë të tjerëve

Si rezultat, një person i dyshuar është identifikuar dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim për të zbardhur rastin.