Parashikimi i motit për sot dhe gjatë vikendit
Sot pritet të kemi destabilizim të motit. Parashihet të ketë shtim të vranësirave të cilat do të marrin karakter zhvillimi duke kushtëzuar rrebeshe lokale shiu, shqote e bore. Vende-vende do të ketë edhe breshër të imët ose breshnicë, ndërsa ka shanse për ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.
Përderisa një rajon përjeton ndonjë reshje bore, rajoni tjetër jo shumë larg mund të përjetojë reshje shiu ose reshje të përziera dhe kjo do të ndodhë për shkak të ndryshimeve të shpeshta termike nga rrymime të ndryshme ajrore.
Reshje mund të fillojnë herët në mëngjes në formë fjollash bore e shqote, pastaj gjatë ditës riga e rrebeshe lokale shiu e më vonë përsëri shqotë dhe bore. Në zonat më të ulëta të vendit normalisht priten vetëm rrebeshe afatshkurtra, lokale shiu. Temperaturat pritet të lëvizin nga -3 deri në 5 gradë Celsius.
Në Shqipëri po ashtu do të ketë shtim të vranësirave dhe vende-vende reshje e rrebeshe lokale shiu. Në disa zona priten rresheve intensive të karakterit lokal. Reshje shiu, shqote e bore nesër pritet të ketë edhe në disa zona në Maqedoninë e Veriut e sidomos në veri të Malit të Zi dhe Luginën e Preshevës.
Të shtunën pritet mot i ndryshueshëm, fillimisht paksa ftohtë pas fronteve të ftohta, por shumë shpejtë rrymimet ajrore nga perëndim e jugperëndim rrisin temperaturat. Ende lokalisht mund të ketë ndonjë reshje atmosferike.
Nga e diela përmirësim dhe stabilizim i motit. Temperaturat do të jenë mjaft të larta për këtë periudhë kohore./MeteoBallkan