“Vuçiq, hajdut”, mijëra vetë protestojnë me vezë e domate në Beograd kundër zgjedhjeve
Mijëra vetë dolën në protestë mbrëmë në qendër të Beogradit, thirrur nga liderët e opozitës, për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të së dielës, certifikuar tashmë nga komisioni republikan zgjedhor.
Mbështetësit e aleancës opozitare, Serbia kundër Dhunës, thanë se këto zgjedhje edhe njëherë rikthyen pasigurinë për vlerën e votës, teksa goditën godinën e komisionit zgjedhor me vezë e domate, me thirrjet “Vuçiq, hajdut”.
Liderët e opozitës, Miroslav Aleksiq dhe Marinika Tepiq, thanë se këto zgjedhje treguan edhe njëherë mashtrimet në çdo proces elektoral dhe se ata do të protestojnë, deri sa Komisioni të dëgjojë e të plotësojë kërkesat e tyre.
Reagimet pas fushatës e zgjedhjeve në Serbi kanë qenë të shumta por ndërkombëtarët nuk do të shprehen derisa të dalë OSBE me një raport paraprak.