Këto janë 14 kërkesat që Njësia Speciale i shpalosi sot para Qeverisë

Njësia Speciale dhe Intervenuese si dhe Sindikata e Policisë në protestën që e patën sot para Qeverisë, dolën me 14 kërkesa.

Ndër të tjerash u kërkua që rrezikshmëria të jetë 25-50 % e pagës bazë të policëve. U kërkua përfshirja e njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës, e po ashtu pensionimi të bëhet në moshën 55-vjeçare, transmeton lajmi.net.

“1. Përmirësimi i kushteve të punë në përgjithësi, siç janë, veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete, si dhe pajisje tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare, nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë. 2. Rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe mos të varet vetëm nga një vend apo lokacion i caktuar, si dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmëri në punë të jetë nga 25 deri në 50% e pagës bazë dhe të formohet një komision që do të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave për rrezikshmëri. 3. Përfshirja e njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës. 4 ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare, e njëjtë me ligjin e FSK-së. 5. Sigurimi jetësor dhe rritjen e fondit në buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera. 6. Invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së të cilët janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond apo caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit. 7. Përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike. 8. Shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës, për të gjithë e barabartë. 9. Pagesa e udhëtimit për ata që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë. 10. shtesa për fundvit e vlerës së një page për të gjithë ata që kanë treguar performancë të mirë gjatë tërë vitit. 11. Rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikimit shkollor. 12. Të rikthehen tri pagat përcjellëse për zyrtarët që pensionohen. 13. Të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë që mund të kenë një rast vdekje në familjen e ngushtë, dhe 14. Përkujdesja për mirëqenien e familjeve të pjesëtarëve të policisë së Kosovës që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare apo janë lënduar. Si psh, shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët apo anëtarë nga familja e ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë”, u shpreh Zeqiri në fjalën e tij para mediave ku ishin të pranishëm edhe lajmi.net.

Lexo edhe:  Aksident në Komoran, dy vetura bëhen llom

Ai tha se janë të gatshëm të diskutojnë me qeverinë këto kushte ndërsa shfaqi shpresën që qeveria e Kosovës të ketë mirëkuptim dhe t’i ftojë në takim “në mënyrë që së bashku të gjejmë një zgjidhje konkrete për kërkesat tona legjitime”.

“Për hapat tjerë, ju njoftojmë me kohë. Në këtë moment, konsiderojmë të përfunduar protestën”, deklaroi Zeqiri.