E rëndë: Vdes në QKUK 89-vjeçari nga Rahoveci që pësoi lëndime pasi iu dogj shtëpia

Një ngjarje e rëndë është shënuar për familjen Elshani nga fshati Nagac i Rahovecit, pasi familjari i tyre u nda sot nga jeta si pasojë e djegieve të shkaktuara nga zjarri i cili mbrëmë kaploi shtëpinë e tij.

Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë të ditur se viktima e këtij incidenti është 89-vjeçari, Feim Elshani.

I njëjti mbrëmë u dërgua në Qendrën Klinike Universitare, atje dhe ku sot ndërroi jetë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është tërhequr për t’u dërguar në IML për obduksion, teksa kanë nisur edhe hetimet.

Për vdekjen e tij ka njoftuar edhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili përshkoi kontributin e tashmë të ndjerit në njërën nga çështjet thelbësore të shtetit të Kosovës.

“Baca Feim ishte ndër ata njerëz që nuk ankoheshin dhe nuk mallkonin për gjendjen e tyre sa herë që hasin në vështirësi e rreziqe. U bë pjesë e historisë dhe e lirisë së Kosovës, kur Millosheviqit i doli përballë në gjyqin kundër tij në Hagë dhe veç të tjerave, ia tregoi krimet e turpshme të armatës së tij që dogji e shkrumboi tri gra të vjetra e të sëmura, e atij iu kujtuan copat e predhave serbe që kishte gjetur e depozituar si prova krimi Feimi për Gjykatën e Hagës”, thuhet ndër tjera në postimin e tij.

Postimi i plotë:

Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e njeriut të mirë e të respektuar Feim Elshani nga fshati Nagac, i cili vite më parë dëshmoi për krimet serbe para Milosheviqit në Hagë.

Baca Feim do të mbahet gjatë në mend për kontributin e dhënë në rrugën e lirisë, për vuajtjet e mëdha dhe pengesat e shumta që kaloi si dhe për vullnetin dhe energjinë e duhur që ai e dëshmoi deri më sot.

Lexo edhe:  KFOR’i reagon pasi Kurti ekspozoi dronët Bayraktar, thonë se duhet leje nga ta për t’i ngritur në qiell

Baca Feim ishte ndër ata njerëz që nuk ankoheshin dhe nuk mallkonin për gjendjen e tyre sa herë që hasin në vështirësi e rreziqe. U bë pjesë e historisë dhe e lirisë së Kosovës, kur Millosheviqit i doli përballë në gjyqin kundër tij në Hagë dhe veç të tjerave, ia tregoi krimet e turpshme të armatës së tij që dogji e shkrumboi tri gra të vjetra e të sëmura, e atij iu kujtuan copat e predhave serbe që kishte gjetur e depozituar si prova krimi Feimi për Gjykatën e Hagës.

U kujtoftë e u nderoftë ndër mote jeta dhe vepra e tij atdhetare!

I paharruar qoftë kujtimi për Feim Elshanin!