“Grabitësit në Suharekë gjuajtën veturat që tentuan ta ndihmojnë Policinë”, Prokurorja: Nga pamjet del se kemi të bëjmë me profesionistë

Grabitja e armatosur në argjendarinë “Diakos” që tronditi të mërkurën suharekasit ishte planifikuar si në filma nga grupi prej katër personave, të cilët mbushën çantat me ari në vlerë të 250 mijë eurove dhe u zhdukën. Para se të arratiseshin ata u gjuajtën me njësinë policore që intervenoi në vendin e ngjarjes, duke e lënë të plagosur një polic. Hetimet kanë nisur, por katër plaçkitësit ende nuk janë identifikuar, raporton Gazeta Sinjali.

Lidhur me rastin ka folur prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, e cila tha se në bazë të informacioneve që posedojnë deri më tani, del se të dyshuarit kanë qenë profesionistë.

Gashi po ashtu tha se të dyshuarit kanë shtënë edhe në drejtim të disa veturave.

“Grabitësit madje kanë gjuajtur disa automjete që kanë tentuar t’i ndihmojnë policinë”.

“Nga video incizimet e qytetarëve vërehet se kemi të bëjmë me profesionistë. Kush janë, çka janë e çfarë profesionistësh janë nuk mund ta them, mirëpo kanë qenë mjaft të përgatitur”.

“Njollat e gjakut ndihmojnë në zbulimin e ADN-së. Nëse kapen të dyshuarit, atëherë kjo është provë e pakontestuar se ata kanë qenë në vendin e ngjarjes. Fillimisht do t’i krahasojmë me ADN-të që kemi në databazën tonë pastaj shohim hapat e mëtejshëm”, ka deklaruar Gashi në Debat Plus.

Lexo edhe:  Policia publikon foto nga aksioni në Banjskë, çka kishin serbët sulmues