Arrin në mbi 2000 numri i veturave të regjistruar me targa RKS në veri

Nga 1 nëntori deri më sot, numri veturave të regjistruara në RKS nga ato ilegale ka arritur në 2000.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, për teve1.info

Qeveria e Kosovës më 30 tetor ka marrë vendim për zgjatjen e afatit të regjistrimit të veturave me targa targa serbe sikurse “PR”, “KM”, “PZ” e të ngjashme do të jetë deri më 1 dhjetor.

Çështja e targave ka shkaktuar një sërë krizash në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Fillimisht, më 31 korrik të vitit 2022 u ngritën barrikada për shkak të çështjes së targave dhe në nëntor të po atij viti, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, pasi u suspendua drejtori i policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. Gjuriq kishte refuzuar të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS.

Plani i Qeverisë së Kosovës i tetorit të vitit të kaluar parashihte që nga 21 prilli i vitit 2023 të lejohej vetëm qarkullimi i makinave me targa RKS.

Më 23 nëntor 2022, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat që lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë.

Sipas marrëveshjes, Serbia pranoi që të mos lëshonte më targa të reja dhe Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte plani për riregjistrimin e makinave./teve1.info/

Lexo edhe:  Koci: Kufomën e Faton Hajrizit e sjell patjetër në Kosovë, veç nëse më arrestojnë edhe mua