Sulmi brutal ndaj këmbësorit në Fushë Kosovë, ky është shoferi që e goditi me mjet të fortë

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në Fushë Kosovë, ku shoferi i një veture po dyshohet se e ka sulmuar brualisht një këmbësor.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Endrit Pecin, 26-vjeçar, i cili është arrestuar dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Rasti ka ndodhur në rrugën “Dardania”, ku i dyshauri teksa ishte në lëvizje me veturën e tij, ka pasur një mosmarrëveshje me viktimën, i cili është këmbësor në ato momente.

Për pasojë, debati mes tyre eskaloi, ashtu që i dyshuari ka dalë nga automjeti dhe e ka ndjekur viktimën e më pas e ka goditur me një mjet të fortë, duke i shkaktuar lëndimë të rënda.

I riu që u sulmua është dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërkohë që pas nisjes së hetimeve, Policia e ka identifikuar të dyshuarin.

Si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  U zunë duke prerë pisha – arrestohen dy persona në Podujevë