Inspektorët në aksion, mbyllen nëntë qendra masazhi në Prishtinë
Inspektorati i Tregut ka mbyllur përkohësisht nëntë qendra masazhi, të cilat ushtronin veprimtari ilegale.
Në mbrëmjen e së martës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes një njoftimi ka bërë të ditur se janë realizuar inspektime në 17 lokacione në Prishtinë, shkruan Gazeta Insajderi.
“Sot, gjatë orëve të mbrëmjes, Inspektoriati i Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës (Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz) dhe inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës kanë realizuar inspektime të përbashkëta në 17 lokacione në Prishtinë, ku cak ishin qendrat e masazhit, me qëllim verifikimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së tyre”, thuhet në njoftim.
“Si rezultat i këtyre inspektimeve, Inspektorati i Tregut ka bërë mbylljen e përkohshme të 9 lokaleve ku ushtrohej veprimtaria e masazhave”, vijon njoftimi.
Ndaj këtyre operatorëve ekonomikë, pritet t’u shqiptohen masa ndëshkuese.
Në fotografitë që ka shpërndarë MINT-i në ‘Facebook’, pronarëve të bizneseve iu është obliguar të paraqiten tek Inspektorati i Tregut.