Parashikimi i motit për javën e ardhshme
Java e ardhshme parashihet të jetë tipike vjeshtore pasi në fushat termike do të ketë rënie të dukshme. Vranësirat do të jenë kryesisht të stadit të mesëm dhe të ulët të troposferës, ndërsa presioni atmosferik do të ketë luhatje të lehta duke i ruajtur vlerat e normales.
Nuk përjashtohen mundësitë që të krijohet edhe mjegulla në shumë zona, pasi ndryshimi i grafikut termik do të mundësojë formimin e kësaj dukurie. Në viset me lartësi mbidetare mbi 1.100m parashihen edhe ngrica të dobëta.
Ditën e hënë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 11-14 gradë Celsius.
Të martën moti do të jetë i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 13-16 gradë Celsius.
Ditën e mërkurë do të mbajë mot kryesisht i vranët. Vranësirat parashihen të sjellin reshje shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2-5 gradë Celsius, ndërsa, maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-14 gradë Celsius.
Të enjten do të mbretërojë mot i vranët dhe me intervale të shkurta me diell. Në fushat termike nuk parashihet të ketë ndryshime, pasi do të regjistrohen temperaturat e ditës paraprake, përveç minimaleve të cilat parashihen të jenë lehtësisht më të ulëta. Minimalet e ditës do të lëvizin ndërmjet 2-4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet ndërmjet 11-14 gradë Celsius.
Ditën e premte do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Vranësirat gjatë ditës do të pësojnë zhvillime duke krijuar kushte për reshje të shiut. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0-3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 10-12 Celsius.
Kushtet agrometeorologjike janë përmirësuar shumë pas reshjeve të fundit të cilat përfshinë gjithë territorin e Kosovës.
Sasitë e reshjeve të regjistruara në disa qendra të rrjetit meteorologjik të Kosovës ishin me sa vijon:
Junik 159 milimetra, Gadime 91mm, Ferizaj 90 mm, Kamenicë 62 mm, Podujevë 60 mm, Mitrovicë 50 mm, Prizreni, Peja dhe Prishtina 45 mm dhe Malisheva me 43 mm ose litër për metër katrorë.
Gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi dhe verilindja me shpejtësi 1-13 metër për sekondë, njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.