I mituri ther me thikë një person pas një zënke për para, viktima dërgohet në QKUK
Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë. Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. Gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Prizren, ku një person është therur me thikë nga një 17-vjeçar (emër i njohur për redaksinë), pas një mosmarrëveshje lidhur me disa të holla.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren dhe ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, teksa ka dhënë edhe detaje të tjera lidhur me incidentin.
Siç merr vesh Sinjali, viktima që pësoi lëndime nga goditja me thikë është jashtë rrezikut për jetë dhe i njëjti po trajtohet në QKUK.
“Me date 07.10.2023 rreth orës 23:00 Viktima M/Sh/K kishte shkuar ne shtëpinë e te dyshuarit M/SH/K, me te cilin pas një mosmarrëveshje verbale rreth disa te hollave, janë fjalosur dhe përleshur ne mes vete, ku i dyshuari (i mitur i moshes 17 vjeqare) e kishte sulmuar viktimën me një mjet te mprehtë ( thike ) dhe si pasoj viktima kishte marrë lëndime ne qafe. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore dhe hospitalizohet ne Spital shkaku i lëndimeve.”, kanë thënë nga Policia.
Në kuadër të veprimeve hetimore që janë ndërmarrë lidhur me rastin, është konfiskuar thika që është përdorur nga i dyshuari.
Pas përfundimit të procedurave, ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor.