Lëndoi një person i cili më pas vdiq, 8 vjet burg për mitrovicasin
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Berat Hajdari, duke e dënuar me 8 vite burgim për veprën penale lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekjen.
Aktgjykimi ndaj Hajdarit u shpall të mërkurën nga gjyqtari i rastit, Rrahman Beqiri.
Sipas aktgjykimit, në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 20 tetor 2021.
Hajdari obligohet të paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore dhe atë 200 euro në emër të paushallit gjyqësor, 100 euro në emër të ekspertizave mjeko-ligjore dhe pjesëmarrjes së ekspertit në seancë, dhe 50 euro në emër të fondit të viktimave të krimit.
Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 27 shkurt 2023, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, thuhet se më 20 tetor 2021, në Mitrovicë, i pandehuri Berat Hajdari i shkakton lëndim të rëndë trupor tani të dëmtuarit – të ndjerit E.D., dhe me lëndime të rënda dërgohet në QKUK. Aktakuza thotë se me këtë rast të dëmtuarit i janë shkaktuar lëndime të rënda trupore, si pasojë e të cilave i dëmtuari E.D vdes më 15 janar 2022 në QKUK.
Me këto veprime, Hajdari akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga neni 186, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej 5 deri në 15 vjet. /Betimi për Drejtësi.