Vdes krimineli i luftës Mitar Vasiljeviq
Ka vdekur Mitar Vasiljeviq, në moshën 70-vjeçare në atë qytet në lindje të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ai u dënua nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Vishegrad.
Vasiljeviq u kthye në Vishegrad në mars 2010 pasi kreu dy të tretat e dënimit 15-vjeçar.
Më pas ai u prit si hero në Vishegrad, me muzikë, kolona makinash dhe simbole çetnike.
Si pjesëtar i njësisë paraushtarake të udhëhequr nga Milan Lukiq, Vasiljeviqi u dënua, ndër të tjera, për pengimin e arratisjes së shtatë myslimanëve, të burgosur në hotelin “Vilina Vlas”, duke ndihmuar kështu Milan Lukiqin dhe njerëzit e tij për të vrarë pesë, ndërsa dy mbijetuan.
Në Vishegrad, gjatë vitit 1992, siç thuhet në vendimin e Hagës, forcat serbe vranë një numër të madh civilësh myslimanë të paarmatosur.
Milan Lukiq dhe kushëriri i tij Sredoj Lukiq udhëhoqën njësitë që në qershor 1992 kryen disa nga krimet më të tmerrshme që ndodhën gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Shumë kufoma myslimanësh – burra, gra dhe fëmijë, të vrarë në qytet dhe në urën historike, osmane mbi Drina – u hodhën në lumin Drina. Forcat serbe kryen plaçkitje dhe shkatërrim sistematik të shtëpive të muslimanëve. Të dy xhamitë e qytetit u rrënuan plotësisht – thuhet në aktgjykimin kundër Vasiljeviqit.
Aktakuza kundër Vasiljeviqit u ngrit në vitin 1998 dhe ai u arrestua nga anëtarët e forcave ndërkombëtare në Bosnje dhe Hercegovinë (SFOR) në janar 2000.
Mitar Vasiljeviq u dënua me 20 vjet burg me aktgjykim të shkallës së parë në vitin 2002, por në aktgjykimin përfundimtar të vitit 2004, dënimi me burg u reduktua në 15 vjet.
Pritja e Vasiljeviqit pas lirimit nga burgu me simbole çetnike ka prekur veçanërisht përfaqësuesit e viktimave.