Gjykata ua vazhdon edhe për dy muaj paraburgimin tre të dyshuarve për sulmin në Banjskë
Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj tre të dyshuarve Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq për sulmim terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë.
Lajmi u bë i ditur për “Betimi për Drejtësi” nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.