Qeveria po i mban peng pagat e policëve deri në zgjedhje për shkak të votave
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e konsideron gabim të madh qëndrimin e pozitës ndaj rezolutës për Policinë e Kosovës, si dhe mosdekretimin e kryeprokurorit, Blerim Isufaj nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai e vlerësoi si të nevojshëm votimin e një komisioni për hetim ndërkombëtar lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Haradinaj në një intervistë për KosovaPress, e quan sjellje të ulët veprimin e qeverisë aktuale sa i përket ndërmarrjes së veprimeve në raport me Policinë e Kosovës, derisa tha se rritja e pagës së tyre po mbahet peng deri në zgjedhje, ‘vetëm sa për t’i siguruar votat’.
Në seancën e jashtëzakonshme të 19 tetorit, Kuvendi i Kosovës dështoi të hidhte në votim projektrezolutën që kërkon mbështetje urgjente financiare për Policinë e Kosovë, për shkak të mungesës së kuorumit, pasi nuk ishin prezent deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sjellja e tyre gabim, është vështirësuar jeta, janë rritur çmimet, ju e dini energjia është rritur dy herë. Çmimet e tjera të jetës janë shtrenjtuar dhe nuk janë rritur pagat. Policët po kanë ngarkesë të madhe, kishin ngarkesë në kohën e pandemisë, pastaj me zhvillimet në veri me orare të gjata. Shumë gabim është mospërkrahja e policisë. Është, po ashtu e ulët të mbahet kështu peng deri pak para zgjedhjeve, që t’ua rrisin para zgjedhjeve sa me iu marrë votat. Rriti tash dhe do t’ua japin votën, pse të presin fundin e mandatit. 01:57 Duhet të dyfishohen pagat në Kosovë. Kanë ndodhur shumë zhvillime në ekonomi, në trendet globale. Janë rritur edhe interesat ose kamata për kredi. Veç para një viti kur ke marrur kredi, kamatat kanë qenë 3-4 për qind, sot i ke 8-9 për qind. Edhe kjo është një lloj vështirësie e jetës, duhet të rriten pagat të policisë dhe të sektorëve të tjerë në Kosovë”, potencoi Haradinaj.
Lidhur me mosdekretimin e kryeprokurorit, Blerim Isufaj, i pari i AAK-së, derisa citoi fjalët e kryministrit Kurti “Të gjithë do të bashkohen’, tha se është gabim ndërhyrja në gjyqësor.
“Është gabim, është ndërhyrje në përgjithësi të gjyqësorit, nuk do të kishte qenë ndoshta aq tragjike qëndrimi i presidentes Osmani, mos të kishim qenë dëshmitar të sulmeve politike që kanë ardhur nga kryeministri në vazhdimësi ndaj kandidatit për kryeprokuror. Dhe u konfirmua se askush nuk do të bëj qëndrimin e njëjtë por ‘Të gjithë do të bashkohen’ siç thotë Albini, që është shumë keq besoj për ndarjen e pushtetit për gjyqësorin. Por, edhe për politikën është keq”, tha Haradinaj.
Haradinaj e quan të mirëseardhur miratimin e rezolutës nga Parlamenti Evropian, ku u dënua ashpër sulmi terrorist i 24 shtatorit në veri të Kosovës. Ai tha se shpreson që Parlamenti Evropian, do ta votojë edhe një komision për hetim ndërkombëtar për aktin agresor që ka ndodhur në Banjskë.
“E mirëseardhur është, vërtetë e nevojshme, shpresoj që në Parlament Evropian, do ta votojnë edhe një komision për hetim ndërkombëtar për sulmin terrorist që ka ndodhur në Kosovë, sulmin në Banjskë. Është një sulm terrorist, formacioni ishte terrorist, Serbia e ka përkrahur apo sponsor i terrorizmit, duhet një hetim ndërkombëtar”, tha Haradinaj.
Këtë të enjte, me miratimin e rezolutës nga PE-ja, eurodeputetët kritikuan ashpër politikën e Serbisë ndaj Kosovës dhe e cilësuan atë “të rrezikshme.” Në këtë rezolutë theksohet se autorëtë e sulmit terrorist janë “paraushtarakë serbë të mirëorganizuar në Banjska.”
Ndërkaq, rezoluta e Parlamentit Evropian u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së, që ende nuk e kanë dënuar sulmin e 24 shtatorit, ta dënojnë atë.