Vazhdon trendi i parave false, zbulohet edhe një rast në Gjilan

Qindra mijëra euro false dyshohet se qarkullojnë në tregun e Kosovës. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është raportuar dje në qytetin e Gjilanit, ku një zyrtar i bankës ‘Pro Credit’ ka njoftuar Policinë se në bankomat kanë hasur në disa kartëmonedha që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se paratë të cilat kapin vlerën e mbi 1 mijë eurove, janë sekuestruar për ekzaminime të mëtutjeshme.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Falsifikim i parasë’.

Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Lexo edhe:  Bledi për Azemin: Ti ke nevojë për terapi klinike