Identifikohen shtatë të miturit që bënin kërdi me vjedhje në Podujevë, shoqërohet në Polici blerësi i gjësendeve të vjedhura

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.

Kështu ndodhi me disa të mitur në qytetin e Podujevës, të cilët dyshohet se për një kohë kanë kryer vjedhje të njëpasnjëshme në pikat e shitores ‘Viva Fresh Store’.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se pas veprimeve hetimore është arritur që ata të identifikohen dhe të njëjtit më pas janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Siç thonë burimet, në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar edhe një 24-vjeçar, tek i cili janë gjetur dhe sekuestruar një numër i madh i produkteve të vjedhura, të cilat dyshohet se i bleu nga të miturit.

Gjësendet e vjedhura janë kthyer në pronësi të pronarit, ndërsa me urdhër të prokurorit ndaj shtatë të miturve është iniciuar rasti për veprën penale ‘Vjedhje’, ndërsa i dyshuari i rritur do të hetohet për veprën ‘Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vijim