Tentim-vrasja në një qebaptore, arrestohet pronari dhe një anëtar tjetër i familjes

Zënka mes pronarit të mishtores “Hilmia” në Prizren dhe një anëtari tjetër të familjes Mullallari në Prizren me një 57-vjeçari, eskaloi pasditen e së martës dhe për pasojë ky i fundit mbeti i plagosur. Dy të dyshuarit përfunduan në pranga të Policisë, ndërsa viktima Luan Delili u dërgua në spital për trajtim mjekësor.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se përveç pronarit Shaban Mullallari, edhe Dardan Mullallari është arrestuar nën dyshimet se është i përfshirë në këtë rast.

Gjithçka dyshohet se ndodhi pas orës 14:00, kur pas një zënke momentale që kishin dy të dyshuarit me viktimën, pronari Shaban Mullallari e ka nxjerrë një armë, me të cilën dyshohet se ka gjuajtur në drejtim të viktimës.

Për pasojë, Luan Delili pësoi plagë në këmbë dhe u dërgua në Emergjencë për trajtim mjekësor dhe sipas informacioneve të para, është jashtë rrezikut për jetë.

Posa Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe janë marrë informacionet e para për motivin që i futi palët në sherr.

Ndërsa dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga hetuesit policorë dhe kanë dhënë deklaratat e tyre për këtë incident.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndaj tyre është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë”.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prizren, me ç’rast është bërë e ditur se arma që dyshohet se është përdorur në rasti është konfiskuar me disa fishekë.

“Është raportuar se viktima mashkull kosovar ka mbetur i plagosur në këmbë pasi ishte qëlluar me revole nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë relevante policore me ç’rast është konfiskuar një revole me 6 fishekë. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori kompetent me vendim të të cilit dy persona të dyshuar që ndërlidhen me rastin dërgohen në mbajtje. Rasti nën hetime.”

Lexo edhe:  Dyshohet edhe për amerikanë të vrarë në sulmet e Hamasit

Sinjali ka kontaktuar edhe mishtoren “Hilmia” për të marrë një deklaratë lidhur me atë që ka ndodhur, por personi i cili është përgjigjur në numrin e tyre kontaktues ka refuzuar të flasë, duke u shprehur shkurt se nuk kanë informacione.

“Jo, na nuk kena kurrfarë informate. Nuk kom asnjë informacion…kalofshi mirë”.