Ambasadori amerikan del në terren dhe kontrollon se a i hoqi Serbia trupat nga kufiri me Kosovën

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Beograd, Christopher Hill, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Beograd, Emanuele Giaufret, u takuan të enjten në jug të Serbisë me ministrin e Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneralin Millan Mojsilloviq.

Shefi i Armatës së Serbisë, Milan Mojsilloviq dhe Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, pas deklarimeve amerikane dolën në konferencë për media ku mohuan se kanë shtuar praninë ushtarake në kufi, dhe se “përkundrazi” e kanë reduktuar; siç pretenduan ata, prej 14 mijë sa ishin në dhjetor të 2022’ës, në 8 mijë e 360 më 25 shtator, ndërsa tani kanë rreth 4 mijë trupa përgjatë kufirit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, madje i ka quajtur “gënjeshtra të pastra” deklarimet amerikane për grumbullimin e madh ushtarak serb; ndërsa ditë më vonë i zbuti tonet duke thënë se “në këtë rast informacionet ameriane nuk ishin plotësisht të sakta”.

Por, pas angazhimit të madh amerikan dhe gjerman, Vuçiq ktheu ushtrinë mbrapsht, në atë që provuan ta arsyetojnë përmes një frazeologjie tipike propagandistike, se gjoja “kanë çangazhuar ushtarët” përgjatë kufirit, dhe “jo larguar”.

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Beograd, Emanuele Giaufret, sot ia mësyen vijës kufitare Kosovë-Serbi pë[r të konfirmuar për së afërmi nëse Serbia në të vërtetë i ka larguar trupat nga kufiri.

“Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Christopher Hill dhe kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, ambasadori Emanuele Giaufret, u takuan sot në jug të Serbisë me Ministrin e Mbrojtjes Millosh Vuçeviq dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë gjeneral Milan Mojsiloviq”, u tha në një njoftim nga ambasada amerikane në Beograd për mediat serbe.

Lexo edhe:  Pamje: Vrasja në Skenderaj, forca të mëdha policore dhe autoambulaca në vendin e ngjarjes

Sipas raportimeve atje Hill fluturoi me një helikopter të ushtrisë serbe në barrakat ushtarake “Stefan Namanja” në Rashkë dhe mëpastaj vizituan barrakat “Rifat Burdzheviq Trsho” në Novi Pazar.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi se dy diplomatët “ishin mysafirë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes Millosh Vuçeviq dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjeneral Milan Mojsiloviq, gjatë një vizite të shkurtër në disa njësi të Forcave të Armatosura të Serbisë në zonën më të gjerë të Novi Pazarit”.

“Gjatë vizitës ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së patën mundësinë të sigurohen që njësitet e Forcave të Armatosura të Serbisë në atë zonë të kryejnë vetëm detyrat e tyre të rregullta”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

Qeveria e Kosovës ditë më parë kishte reaguar duke thënë se ushtria serbe është vërejtur të lëvizë në tri drejtine: “njësitet e Brigadës së dytë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga drejtimi i Rashkës në drejtim të kufirit verior të vendit tonë; njësitë e Brigadës së Tretë të ushtrisë serbe kanë lëvizur nga Regjioni i Nishit në drejtim të kufirit veri-lindor të vendit tonë dhe njësitë e Brigadës së katërt kanë lëvizur nga Regjioni i Vranjës në drejtim të kufirit lindor të Republikës së Kosovës”.

“Njësitë ushtarake të ushtrisë së Serbisë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur kapacitetet e tyre ushtarake dhe të xhandarmërisë nëpër 48 bazat e përparme operacionale, që janë të shtrira përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës, pak kilometra në thellësi të territorit të Serbisë. Në këtë vendosje përfshihen edhe vendosja e sistemeve kundër-ajrore dhe artilerisë së rëndë”, tregonte Qeveria e Kosovës.

Sipas raportimeve, takimi është zhvilluar me ftesë të zyrtarëve ushtarakë dhe shtetërorë të Serbisë, në mënyrë “që Hilli dhe Giaufret të mësojnë më shumë” për situatën pranë kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Lexo edhe:  Gjendet pa shenja jete një grua në Prishtinë, Policia nis hetimet