Fox News: Sulmi në veri, pjesë e planit të gjerë të Serbisë e Rusisë

Dëshmi të reja shpërthyese nga Kosova që pretendojnë se presidenti i Serbisë kishte dijeni për një sulm të paramenduar që vrau një polic javën e kaluar, ka ndezur tensionet midis dy vendeve ballkanike.

Të paktën 30 persona të armatosur hapën zjarr ndaj policisë në fshatin Banjskë të Zveçanit me shumicë serbe dhe më pas sulmuan një manastir ortodoks, duke vrarë një oficer policie dhe duke plagosur dy të tjerë.

Policia e Kosovës konfiskoi 24 automjete SUV, 29 granatahedhës antitank, 150 dinamitë shpërthyes, 142 predha mortajash, 75 granata dore, shtatë granatahedhës raketash dhe tetë mina kundërtank.

“Këto nuk ishin thjesht armë të vogla që ranë nga një kamion në vitet 1990 ose të blera nga versioni ballkanik i Walmart. Është e qartë se këto armë duhet të kenë origjinën nga një burim shtetëror dhe origjina më e dukshme duket të jetë Beogradi”, thotë Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, për “Fox News Digital”.

Burime diplomatike në rajon thonë për “Fox News Digital” se sulmi ishte pjesë e një plani më të madh dhe të qëllimshëm nga Serbia, me ndihmën e Rusisë, për të nxitur një rebelim në veriun e trazuar të Kosovës. Rebelimi do të shërbente si një pretekst për ushtrinë serbe për të hyrë në Kosovën veriore dhe për ta justifikuar këtë veprim si “mbrojtje të pakicave serbe” dhe se trashëgimia kulturore dhe fetare ortodokse e Serbisë ishte në rrezik.

Ambasadori i Serbisë në ShBA hodhi poshtë pretendimet se Beogradi kishte ndonjë njohuri paraprake për sulmin. “Nuk kishte absolutisht asnjë dijeni, kjo ngjarje është një goditje e madhe politike dhe njerëzore për Serbinë dhe serbët, dhe autorët po sillen para drejtësisë në Serbi”, tha Gjuriq për “Fox News Digital”.

Lexo edhe:  Një veturë digjet tërësisht e një tjetër pjesërisht, policia jep detaje për rastin në Breg të Diellit

Milan Radoiçiq, nënkryetar i partisë kryesore politike serbe në Kosovë dhe nën sanksionet e ShBA-së për aktivitet kriminal, u arrestua të martën dhe mori përgjegjësinë e plotë për planifikimin dhe pjesëmarrjen në sulm, por tha se ai veproi pa udhëzime të qeverisë serbe.

Në një intervistë të hënën, presidenti serb Aleksandar Vuçiq premtoi se Radoiçiq dhe të gjithë ata që janë përgjegjës për sulmin do të mbajnë përgjegjësi.

Ekziston shqetësimi në rritje në qarqet e politikës së jashtme se një skenar i llojit të pushtimit rus po ndodh në Kosovë. Vuçiq, i cili kohët e fundit tha se Serbia do të mbronte pakicat etnike serbe në veri të Kosovës, po përdor të njëjtin argument që Presidenti rus Vladimir Putin ofroi në shkurt 2022 për mbrojtjen e rusëve në Ukrainën lindore përpara pushtimit.

Modus operandi i tyre është analog me atë të Rusisë në disa aspekte, nga propaganda zyrtare serbe për shkeljet e supozuara të të drejtave të serbëve në Kosovë si justifikim për inkursion ushtarak në Kosovë, deri te përpjekjet për të delegjitimuar, frikësuar dhe eliminuar çdo serb të Kosovës që është kritik i politikave të Vuçiqit, për përdorimin e strukturave të ngjashme me Wagnerin për të ndjekur qëllimet e tyre territoriale”, tha ambasadori i Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli për “Fox News Digital”.

Administrata e Bidenit ka shprehur shqetësime për sjelljen e fundit të Serbisë dhe shumë vëzhgues në rajon ndajnë besimin se plani ishte shumë i përpunuar dhe shumë i rëndësishëm që presidenti serb apo kushdo në qeverinë serbe të mos kishte ditur për sulmin.

“Ai sulm ishte i koordinuar dhe i planifikuar mirë”, tha të premten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, John Kirby.

Lexo edhe:  Të shtëna me armë te “Kafet e Vogla”, dyshohet se ka të plagosur

“Ky nuk është lloji i një sulmi që kryhet rastësisht ose ad hoc ose nga ndonjë grup i vogël”, shtoi Kirby.

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate tha se forcat e armatosura serbe janë zhvendosur në tre drejtime të ndryshme përgjatë kufirit verior me Serbinë. Ambasadori serb në ShBA tha për “Fox News Digital” se vendi i tij nuk po lëviz në kufirin verior dhe në fakt po tërheq forcat e tij.

Vuçiq dënoi edhe një herë sulmin që ndodhi në fshatin Banjskë, por mohoi me forcë pretendimet se ushtria serbe po grumbullon forca në kufi, duke i quajtur akuzat një “fushatë gënjeshtre” kundër Serbisë.

Analistët thonë se dhuna dhe retorika e nxehtë ka krijuar periudhën më të trazuar në marrëdhëniet serbo-kosovare që kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por ekspertë të tjerë janë skeptikë për një luftë të afërt.

“Ndërsa raundi i fundit i përshkallëzimeve midis Kosovës dhe Serbisë është shumë shqetësues, një luftë e gjithanshme ose një pushtim i ngjashëm me Rusinë mbetet shumë i pamundur në këtë rajon”, tha për “Fox News Digital” Helena Ivanov, bashkëpunëtore në Shoqërinë Henry Jackson.

Ivanov tha se kjo është kryesisht për shkak të pranisë së forcave paqeruajtëse ndërkombëtare të NATO-s në rajon, e cila vepron si një pengesë e fortë për Kosovën dhe Serbinë.

Sipas analistëve, Vuçiqi është përpjekur gjithmonë të balancojë marrëdhëniet e tij me Rusinë, mbrojtëse tradicionale e Beogradit, ndërsa përpiqet të mbetet në hiret e mira të Evropës. Vuçiqi ka qenë në gjendje të ruajë ekuilibrin, edhe pse presioni që vjen nga Perëndimi është rritur që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Serbia aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE në vitin 2009 dhe mosmarrëveshja e vazhdueshme me Kosovën dhe gjakderdhja e fundit që implikon Beogradin është pengesa më e madhe për anëtarësimin në BE.

Lexo edhe:  Nga sot, në Ushtrinë e Kosovës të drejtë aplikimi kanë të gjithë të rinjtë deri në 25 vjeç

“Është thelbësore të mos nënvlerësohet potenciali i Vuçiqit për t’u përfshirë në veprime që mund të destabilizojnë të gjithë rajonin e Ballkanit. Ai është 100 për qind i gatshëm të përdorë destabilizuesit, siç janë organizatat terroriste serbe të Kosovës, për të mbjellë destabilitet brenda Kosovës. Kjo, nga ana tjetër, mund të çojë me pasoja të rëndësishme në të gjithë rajonin dhe më gjerë. Mos harroni, ajo që ndodh në Ballkan nuk mbetet në Ballkan”, paralajmëroi Hartwell i CEPA.