Shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e 21-vjeçarit në Gjilan
Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Valdrin Halimi, Erdonis Nuredini dhe aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit R.I., për rastin që ndërlidhet me vrasjen e 21-vjeçarit Egzon Rafuna më 2021.
Egzon Rafuna, u vra me armë zjarri më 8 nëntor të vitit 2021 në lagjen Arbëria në Gjilan.
Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, për të akuzuarin Valdrin Halimi ka shpallur aktgjykim dënues me një dënim unik prej 12 vite burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 euro.
Halimi është gjetur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.
I dyshuari tjetër, Erdonis Nuredini është liruar nga akuzat për ndihmë në kryerje të veprës penale vrasje e rëndë, por është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim dhe gjobë prej 800 euro për posedim të substancave narkotike.
Njoftimi i plotë i gjykatës:
Me datë 08.11.2021, rreth orës 20:40 minuta, në Gjilan, në lagjen “Arbëria”, respektivisht afër shtëpisë së të dëmtuarit-tani të ndjerit E. R., duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme dhe me qëllim të fitimit të dobisë pasurore në shumë rreth 200€, e privon nga jeta tani të ndjerin E. R.. Me dhe këtë rast vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve B. K. dhe A. S., në atë mënyrë që i akuzuari V. H. së bashku me të akuzuarit E. N. dhe R. I., nisen nga fshati Pogragjë, në drejtim të Gjilanit me veturën e markës Golf II, të cilin e drejtonte i akuzuari E. N. dhe posa arrijnë tek shtëpia e të ndjerit E. R., i akuzuari V. H. zbret nga vetura, takohet me të ndjerin i cili ishte duke qëndruar me të dëmtuarit B. K. dhe A. S., afrohet afër tij dhe largohen diku rreth 10 metra, ku i akuzuari V. H. nxjerrë revolen e markës Zoraki të kalibrit 7.65mm dhe i thotë të ndjerit “bjermi paret”. Pastaj i ndjeri kthehet brenda në shtëpi merr një revole të markës Zoraki të kalibrit 9 mm, dhe me të dalë nga dera e shtëpisë shtënë një herë në drejtim të akuzuarit V. H., i cili fillon të ikë rrugës përpjetë, ku i ndjeri i vrapon nga pas duke shtënë edhe 4 herë të tjera në drejtim të tij, ku njëra nga këto predha e godet të akuzuarin V. H. në regjionin e vithes të kofshës së këmbës së djathtë duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin, ndërsa i akuzuari V. H. shtënë 2 herë në drejtim të të ndjerit ku njëra nga predhat e godet në pjesën e përparme të krahut të majtë e cila nuk penetron në thellësi, por përfshinë vetëm lëkurën, ndërsa predha tjetër e godet në anën e majtë të kraharorit, afër nënsqetullës së majtë si pasojë e së cilës i ndjeri ndërron jetë në spital.
Më këto veprime i akuzuari V. H. ka kryer veprat penale (1) vrasje e rëndë në tejkalim të mbrojtës së nevojshme, (2) mbajtja ne pronësi, kontroll ose posedim te paautorizuar te armëve dhe (3) posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, vepra të sanksionuara më Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
I akuzuari E. N. me datë 08.11. 2021, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike të llojit marihuanë, e cila është shpallur me Ligj si narkotik i rrezikshëm, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit të datës 09 nëntor 2021 në hyrje të fshatit Pogragjë, Komuna e Gjilanit, në një livadh nga ana e zyrtarëve policor është gjetur dhe sekuestruar 10.5 gram substancë narkotike e llojit marihuanë të cilën e kishte hedhur i pandehuri E. N.
Më këto veprime i pandehuri E. N. ka kryer veprën penale posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge, vepër e sanksionuar më Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Trupi gjykues pas shtjellimit të gjitha provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, për të akuzuarin V. H. ka shpall aktgjykim dënues me një dënim unik prej 12 (dymbëdhjetë) vite burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 500 (pesëqind) Euro.
Ndërsa të akuzuarin E. N. e dënon me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim dhe dënim me gjobë në shumën prej 800 (tetëqind) Euro.
Ndërkohë, trupi gjykues të akuzuarin E. N. dhe R. I. ka liruar nga akuza për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasje të rëndë.
Gjykata ka nxjerrë aktvendim me të cilin i vazhdohet masa paraburgimit V. H. derisa ky aktgjykim të bëhet i formës së prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar, ndërsa të akuzuarve E. N. dhe R. I. i ndërpritet masa e paraburgimit me datë 02.10.2023.
Palët e pakënaqura kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij Aktgjykimi, pas pranimit të të njëjtit në Gjykatën e Apelit.