A është negociuar largimi i terroristëve? Përgjigjet Ministri Sveçla

Një javë më parë, më 24 shtator 2023, në Banjskë të Zveçanit u vra në krye të detyrës rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

Sulmi ishte përgatitur nga grupi terrorist, i cili sipas ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, përbëhej nga rreth 90 persona dhe drejtohej nga Millan Radoiçiq.

Në videot e publikuara nga media vendore e ndërkombëtare shihet se si një pjesë e këtij grupi terrorist janë larguar nga zona e Banjskës për në Serbi.

Largimi i tyre ngjalli debat në vend, e shpesh u pretendua se ky largim i pjesëtarëve të grupit terrorist u negociua.

Mirëpo, kjo u mohua sot nga ministri Xhelal Svjeça e drejtori i përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të cilët prezantuan dëshmi të reja e video-materiale që u nxorën nga dronët e grupit terrorist që kreu sulm në Kosovë e nga autoblindat e Policisë nga vendi ku ishte kryer sulmi në të cilin u vra Afrim Bunjaku e një koleg i tij u plagos.

Reklama

“Nuk ka pasë kurrfarë negocimi me askënd gjatë këtij aksioni. Unë nuk mund të rresht së falënderuari Policinë e Kosovës për profesionalizmin e tyre“ – tha Sveçla.

Tutje ministri tha se policët atë ditë kanë qenë në numër më të vogël sesa sulmuesit.

“Armatimin e keni pa, policia jonë nuk zotëron armatim të këtij kalibri edhe terreni ka qenë i vështirë pasi në vazhdimësi është përballur me prita dhe përkundër gjithë kësaj ajo ka treguar profesionalizëm të pashembullt” – shtoi i pari i MPB—së.

“Tërheqja e këtyre pjesëtarëve është edhe për shkak të terrenit të rëndë, kjo u ka mundësuar atyre tërheqjen, por patjetër edhe përgatitja e tyre ushtarake ka ndikuar” – vazhdoi tutje ai.

Edhe drejtori i Policisë mohoi të ketë pasur negocim me sulmuesit.

Lexo edhe:  Sot Trust-i në Kuvend, pritet të merret një vendim për 30%-shin