KFOR: Policia e Kosovës mund të kryejë detyrat e saj në tërë territorin e vendit
Policia e Kosovës mund të kryejë detyrat e veta në tërë territorin e Kosovës, pa kufizime gjeografike kanë deklaruar nga KFOR.
“Policia e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës (BSK) janë pjesë e institucioneve vendore që merren me sigurinë. Policia mund të kryejë detyrat e veta në tërë territorin e Kosovës, pa kufizime gjeografike. Çdo lëvizje e Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt pjesës veriore kërkon njoftim paraprak dhe pëlqimin e komandantit të KFOR-it, kjo është në përputhje me marrëveshjen e mëparshme dhe NATO pret që institucionet vendore të vazhdojnë ta zbatojnë atë”, kanë thënë nga KFOR për mediumin serb Radio Kim.
Kjo përgjigje vjen pas deklaratës së kryeministrit Kurti se askush nuk mund t’i ndalojë forcat e Njësisë Speciale të shkojnë në veri të Kosovës.
“Askush nuk mund t’i ndalojë forcat e Njësisë Speciale të shkojnë në veri të Kosovës”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin Al Jazeera, çka nxiti reagime në Serbi.
Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq tha se njësiti elitar i Policisë së Kosovës ROSU, nuk duhet të hyjë në veri.
Petkoviq, duke folur me një gjuhë kërcënuese, ka thënë se nëse NATO nuk e ndal ndonjë përpjekje të këtij njësiti për të hyrë në veri, atëherë atë do ta bëjë populli serb.
Sipas tij, marrëveshja që Kosova ka nënshkruar me NATO-n në vitin 2013, specifikon që specialët e Policisë së Kosovës s’mund të hyjnë në veri pa lejen e komandantit të KFOR-it dhe katër kryetarëve të komunave serbe.
Për NATO-n dhe KFOR-in ditë më parë ka folur edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq, tha se në dy-tri ditët e ardhshme do t’i dërgojë një letër misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, lidhur me njoftimin nga ky mision që tha se nuk do të lejojë ngritje të barrikadave në veri të Kosovës.