Grabitje në ‘Tiptop Guns’ Prishtinë: Hajni i hedh sprej në sy punëtorit dhe vjedh një armë
Grabitjet në biznese të ndryshme në Kosovë po ndodhin shumë shpesh, duke shkaktuar humbje dhe pasiguri për punëtorët që ballafaqohen me hajnat. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot, në rrugën “Fadil Vata” në Prishtinë.
Lokali i shitjes së armëve ‘Tiptop Guns’ ka qenë pre e grabitjes, nga një person që arriti të marrë një armë dhe të zhduket për pak minuta.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 13:00, kur hajni arriti që ta kap armën me karikator, por për të arritur deri te arma, ka përdorur sprej që ta zmbraps punëtorin e lokalit.
Ai dyshohet se e kreu grabitjen për pak minuta dhe më pas u largua, teksa shitësi arriti ta njoftojë Policinë dhe të denoncojë se çfarë ndodhi në lokal.
Si rezultat i denoncimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të bërë ekzaminimet e nevojshme, ndërkohë që viktima ka përshkruar në detaje rastin.
Sinjali mëson se me urdhër të Prokurorit, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit, si dhe inicimin e rastit si “grabitje”.