Ministria e Financave paralajmëron pezullimin e kontratave të të gjithë grevistëve
Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave dhe Transfereve ka paralajmëruar pezullimin e kontratave të punës të grevistëve, për aq kohë sa ata do të mbajnë grevë.
Enis Spahiu, zëvendës-sekretar në këtë Ministri, ka konfirmuar për KALLXO.com se paga e secilit grevist do të pezullohet për aq kohë sa qëndron në grevë e që rrjedhimisht ata nuk janë të detyruar të dalin në punë për aq kohë sa duan të qëndrojnë në grevë.
Sipas Spahiut, kjo është bërë për të respektuar Ligjin për Greva meqenëse ndaj grevistëve nuk mund të merren masa disiplinore e as të zëvendësohen.
“Është e vërtetë që kemi dërguar e-mail. Fillimisht kemi marrë një konfirmim nga sindikatat qa sot fillon një grevë, fillimisht i kemi kthyer e-mail sindikatës, ne kemi konfirmuar që e respektojmë grevën dhe do të sigurojmë kushtet e grevës. Megjithatë ligji e kërkon që të respektohen disa kushte të grevës nga ana jonë- procedurale, sigurimi i të drejtës së grevës, hapësirës e të tjera. Por, sipas nenit 18, paragrafi 1 kërkon edhe pezullim të kontratës së punës sepse një zyrtar që është në grevë nuk mund t’i iniciohet procedurë disiplinore, s’mund të zëvëndësohet por për aq orë sa qëndron në grevë nuk do të marrë pagë”- tha Spahiu.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) nga sot ka nisur grevën e përgjithshme në sektorin publik në vend. BSPK-ja ka thirrur grevën deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve nga Qeveria e Kosovës.
Në grevë tashmë kanë hyrë administrata komunale e institucione të tjera të vendit.
Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim- ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në 2014-ën janë tri kërkesat e sindikalistëve.