Hajnat tentojnë të vjedhin pako me insulina në vlerë të rreth 200 mijë eurove në ‘Meditech’
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga vjedhjet e grabitjes, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri nëpër banesa, shtëpi, institucione financiare, vetura e dyqane.
Një vjedhje e rëndë është raportuar në kompaninë për produkte mjekësore ‘Meditech’ në fshatin Preoc të Graçanicës, ku persona të panjohur kanë hyrë brenda objektit dhe kanë marrë disa pako me insulina.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit kishin marrë një numër të madh të pakove me insulina, me ç’rast vlera e dëmit u konsiderua të jetë rreth 200 mijë euro.
Kompaninë ‘Meditech’, drejtori i saj, Shkelzen Fetiu, mohoi të ketë ndodhur vjedhja.
“Ka pasë tentim vjedhje, se vjedhje s’ka pasë. Janë gjetë ato [kutitë me insulina] qaty menjëherë, janë gjetë afër edhe dëmi financiar zero ka qenë. S’ka pasë dëm se janë aktivizu alarmat, Policia, krejt edhe qështu. Zero. Dëmi financiar është zero”, tha Fetiu për Sinjali.
Sinjali mëson se në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë relevante, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.