Vdekja tragjike e ish-policit në Drenas, familja e tij shtrinë dorën e pajtimit me familjen Hot
Një ngjarje e rëndë u shënua gjatë ditës së djeshme për familjen Shehu, pasi humbi jetën tragjikisht familjari i tyre, ish-polici i Kosovës, Tafil Shehu, si pasojë e një aksidenti në rrugën “Xhevat Dogani” në Drenas. I ndjeri u godit nga një veturë, ngasësja e të cilës u arrestua nga Policia e Kosovës.
Teksa, sot gjatë ditët, të ndjerit i është dhënë lamtumira e fundit, me ç’rast pas ndërmjetësimit të Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Drenas, familja Shehu nga Dobrosheci dhe familja Hoti nga Fushtica shtrinën dorën e pajtimit dhe të unitetit.
Lajmin e ka bërë të ditur anëtari i Kryesisë së OVL-UÇK-së dega në Drenas, Enver Hajdari, i cili tha se ky pajtimi është shembulli më i mirë, teksa falënderoi familjen Shehu për “guximin dhe burrërinë”.
“Me ngushëllimet më të thella për humbjen tragjike të jetës së Tafil Shehut, dëshirojmë të ndajmë një lajm të veçantë të pajtimit dhe solidaritetit që u arrit mes dy familjeve në këtë moment të vështirë.
Përmes ndërmjetësimit të Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së dega në Drenas familja Shehu nga Dobrosheci dhe familja Hoti nga Fushtica shtrinën dorën e pajtimit dhe të unitetit.
Ky veprim është shembulli më i lartë i burrnisë dhe fuqisë së shqiptarëve për të kapërcyer sfidat më të mëdha në jetë. Pajtimi është rruga që sjell përpara dhe që tregon se edhe në momentet më të vështira, bashkëpunimi dhe uniteti janë më të rëndësishmit.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dega në Drenas falënderon familjen Shehu për guximin dhe burrërinë e tyre dhe shpreh ngushëllime më të thella për humbjen e të dashurit të tyre Tafil Shehu”, thuhet në postimin e tij.