“Nuk ia hapi derën sepse ishte bërë tokë nga alkooli” Policja rrahet nga burri i saj në Ferizaj

Rastet e dhunës në familjet kosovare po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që çdo ditë e më shumë gratë janë ato që po përjetojnë dhunë fizike e psikike nga bashkëshortët e tyre. Në mesin e këtyre rasteve jo rrallëherë viktimat kanë qenë edhe zyrtare policore. Kështu ka ndodhur në një familje në rrugën “Sali Çeku” në Ferizaj.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se Prokuroria është vënë në dijeni për këtë rast të dhunës në familje ku viktimë është një police (emër i njohur për redaksinë) pasi ajo e ka denoncuar në Polici bashkëshortin e saj. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në banesën e tyre, në orët e vona të së martës.

Ku nisi konflikti:

Bazuar në dëshminë e zyrtares policore të dhënë në stacion policor është zbuluar se bashkëshorti i saj dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj saj, pasi ishte kthyer i dehur në banesën e tyre. Gazeta Sinjali ka mësuar se fillimisht burri kishte shkuar te dera e banesës, ku kishte kërkuar të hyjë, por u përball me refuzimin e gruas, e cila e frikësuar nuk e lejoi brenda, derisa situata u tensionua aq shumë dhe ajo u detyrua që ta hap derën.

Të njëjtat burime nga Prokuroria kanë bërë të ditur se nga deklarata e polices është kuptuar se çifti ka pasur një përplasje të ashpër me fjalë në ato momente, që eskaloi në sulm. Burri po dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Por jo vetëm kaq, i dyshuari e kishte demoluar edhe banesën në shenjë revolte.

Situata që u krijua në shtëpinë e tyre dhe dhuna që përjetoi nga bashkëshorti e bënë policen që për ta parandaluar më të keqen, në vetëmbrojtje ta përdor sprejin zyrtar, që ta zmbraps të dyshuarin dhe t’i njoftojë kolegët e saj. Më tutje, burimet thonë se policja ka përshkruar në detaje për situatën që ndodhi në banesën e tyre nga e cila kishte ngelur e shokuar dhe u nis për ta raportuar në Polici.

Lexo edhe:  Ushtria turke trajnon ushtarët e FSK-së në përdorimin e antitankut

Si rezultat i këtij denoncimi, Policia është vënë në veprim dhe ka prangosur bashkëshortin e zyrtares policore, i cili është shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij. Ndaj tij, prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin në kohëzgjatje prej 48 orësh për veprën penale “dhunë në familje” dhe dorëzimin e kallëzimit penal brenda afatit ligjor.