Dy të rinjtë nga Prizreni që përfunduan në prangat e Policisë për grabitje, kanë të kaluar kriminale

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.

Gazeta Sinjali raportoi të mërkurën për arrestimin e dy personave që dyshohen për një rast të tillë që ka ndodhur para disa ditësh në Prizren.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se dy të dyshuarit janë Bajram Çoçaj dhe Valton Shigjeqi, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.

Shigjeqi në të majtë dhe Çoçaj në të djathtë

Sinjali mëson se dy të dyshuarit që kanë rënë në prangat e Policisë para disa ditësh ia kanë grabitur një zinxhir një gruaje nga qafa dhe më pas kanë arritur të arratisen.

Por ndonëse e shijuan lirinë për disa ditë, të njëjtit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor dje, ku kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me rastin.

Dy të dyshuarit për këtë rast, sipas të njëjtave burime dyshohen edhe për raste të tjera të kësaj natyre, grabitje e vjedhje.

Lajmin për arrestimin e tyre e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prizren.

Lexo edhe:  Ekstradohet nga Gjermania prizrenasi me të kaluar kriminale, dërgohet në burg