Sherr në skuadrën e KB ‘Vëllaznimi’: Dy basketbollistë kapen mes vete, njëri nga ta përfundon më hundë të thyer
Mosmarrëveshjet mes sportistëve nuk janë të rralla, e madje në shumë raste ato eskalojnë edhe në konflikte verbale e fizike. Për një rast të tillë që ka ndodhur në Gjakovë, Prokuroria ka nisur hetimet, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se gjatë ditës së djeshme, stërvitja e Klubit Basketbollistik ‘Vëllaznimi’ në Gjakovë, nuk shkoi si çdo ditë tjetër. Kjo pasi dy lojtarët e kësaj skuadre janë përfshirë në një sherr, i cili ka përfunduar me konfrontim fizik. Njëri nga ta dyshohet ta ketë goditur bashkëlojtarin e tij, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Viktima është dërguar me urgjencë në spital, ku sipas burimeve të Sinjalit brenda Emergjencës, pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se ai ka pësuar frakturë në hundë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, tha për Sinjalin se i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.
“Mund të ju konfirmoj se dje në rrugën “Tirana” është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, mbi dyshimin se rreth orës 17:30 ka sulmuar fizikisht viktimën, po ashtu mashkull kosovar me ç’rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore si dhe është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar rast “Lëndim i rëndë trupor“”, tha Elezaj.
E pavarësisht rastit të rëndë, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të hetohet në liri për veprën të cilën dyshohet se e kreu, duke mos e parë të arsyeshme të caktojë masën e ndalimit policor.