Burri në Shtime i kërkon ish-gruas të bashkohen dy vjet pasi u ndanë, i çon selame dhe e kërcënon
Shpeshherë për çiftet kosovare telashet nuk marrin fund me shkurorëzim. Shumë nga ta vazhdojnë të kenë probleme me ish-partnerët e tyre, të cilët nuk arrijnë ta pranojnë ndarjen edhe për vite të tëra. Si pasojë e telasheve të vazhdueshme janë gratë ato që kryesisht kërkojnë ndihmën e Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Shtime, ku një grua ka denoncuar në Polici ish bashkëshortin e saj me të cilin kishte qenë e martuar për një kohë dhe i kanë ndarë rrugët si pasojë e dhunës që ka përjetuar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 34-vjeçari dyshohet se kohën e fundit vazhdimisht e ka shqetësuar ish gruan, të cilës i ka kërkuar që të bashkohen përsëri.
Duke u përballur me refuzime, i njëjti dyshohet se ka nisur edhe me kërcënime, çka e ka shtyrë viktimën që ta denoncojë rastin.
Si rezultat i denoncimit, njësitet policore janë vënë në lëvizje me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar, i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë vendim që i njëjti të ndalohet dhe ndaj tij të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.