Drenas: Djali i dehur ushtron dhunë ndaj prindërve duke u kthyer nga ahengu familjar

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga bashkëshortët, apo edhe anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë prindërit, të cilët përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.

Një ngjarje e tillë ka ndodhur edhe dje në Poklek të Drenasit, ku një 30-vjeçar po dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës dhe babait të tij, teksa ishin duke u kthyer në shtëpi.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se rasti është denoncuar nga prindërit e të dyshuarit, të cilët kanë dhënë deklaratat e tyre para hetuesve policorë për mosmarrëveshjen që kanë pasur me të birin teksa po ktheheshin nga një aheng.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, i dyshuari, derisa ishte në gjendje të dehur, i ka kanosur prindërit e tij, duke iu shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit të i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Dyshohet se sulmoi fizikisht një person, bie në pranga pas dy javësh në arrati 35-vjeçari në Podujevë