Ende s’ka veprim për largim të strukturave ilegale nga objekti në Mitrovicë, tani ju erdhi buka punëtorëve

Sot, 8 shtator, është afati i fundit që autoritetet e Kosovës u kanë dhënë katër institucioneve serbe të largohen nga një objekt në Lagjen e Boshnjakëve, pasi kanë thënë se i përket Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Ekipi i KOHËS që po qëndron atje ka raportuar se përreth këtij objekti nuk ka policë të Kosovës dhe se pak metra larg tij po qëndrojnë dy pjesëtarë të KFOR-it.

Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se nuk është kërkuar asistenca e Policisë për largimin e nëpunësve serbë nga objekti komunal.

“Është e vërtetë që herën e kaluar kemi pasur një kërkesë për asistencë, dhe ne kemi qenë të gatshëm që të asistojmë, kësaj radhe deri në këtë moment kur po flasim, nuk kemi kërkesë për asistencë, sidoqoftë nëse kërkohet asistenca, ne jemi të gatshëm që ta ofrojmë atë, nuk kemi ndonjë problem, sepse e kemi krijuar përvojë tash në veri të Kosovës për intervenime, por nuk ka pasur një kërkesë të tillë”.

Shefi i kabinetit të Kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, Visar Syla, ka thënë se ende nuk ka ndonjë vendim nëse do të kërkojnë asistencë të Policisë për largimin e zyrtarëve serbë nga objekti. Ai ka thënë se i takon Inspektoratit të vendosë se si do të veprojë. Në pyetjen se a do të largohen ata para orës 16:00, kur përfundon orari i punës, është përgjigjur shkurt se “afati për largim është brenda datës 8”.

Vendimi i administratës së Komunës fillimisht ishte thënë se duhet të zbatohej deri më 25 gusht, por ishte shtyrë për dy javë.

Afati prej 14 ditësh u ishte dhënë për t’u krijuar hapësirë dhe kohë për largim të dokumentacionit ose çkado që iu hyn në punë zyrtarëve që kanë punuar aty.

Lexo edhe:  Kjo është shuma që Naim Murseli dyshohet se ia dha dorasit për ta vrarë gruan e tij

Inspektorati komunal u kishte dërguar nëpunësve, që aty punojnë nën administratën e Serbisë, paralajmërim që t’i lironin zyrat.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian kishte reaguar duke thënë se vendimi i autoriteteve komunale ishte në kundërshtim me përpjekjet për shtensionimin e situatës në veri.