Bankat në Kosovë në hall nga paratë false, zbulohet edhe një rast në Prishtinë

Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro, raporton Gazeta Sinjali.

Në qindra monedha të falsifikuara ka hasur një punëtore e një banke në rrugën ‘Ukshin Hoti’ në Prishtinë.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se zyrtarja e bankës ka njoftuar se në një periudhë dyjavore kanë pranuar qindra monedha metalike që dyshohet të jenë të falsifikuara.

Monedhat janë konfiskuar për ekzaminimet e nevojshme, ndërsa me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti ‘Falsifikimi i parasë’.

Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Lexo edhe:  Vidhen rreth 50 euro në një xhami në Gjilan