Zyrtarët policorë edhe këtë muaj pa shtesa të rrezikshmërisë
Mosekzekutimi i shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, vazhdon të mbetet një ndër ankesat kryesore të zyrtarëve policorë.
Sinjali mëson se shtesat e rrezikshmërisë nuk janë ekzekutuar as me pagën e muajit gusht.
Kujtojmë se kjo është edhe një ndër pakënaqësitë e shumta me kushtet e punës, që po shtyjnë policët të zhveshin uniformën e Policisë.
Vetëm këtë gjatë këtij viti, rreth 50 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje vullnetare, teksa Sindikata e Policisë së Kosovës para më shumë se një muaji ka filluar me veprime sindikale duke dorëzuar në Kuvend një peticion, në të cilin kanë nënshkruar 62% e pjesëtareve të PK-së.
Policët më parë merrnin shtesat për orar të zgjatur e rrezikshmëri në punë sipas një rregulloreje të brendshme të policisë, por me funksionoalizimin e ligjit të ri për paga kjo rregullore u ndalua.
Ligji për pagat ka hyrë në fuqi më 5 shkurt dhe është përcaktuar koeficienti në vlerë prej 105 eurosh për vitin 2023.